75 Mall Live Search
19:20 / E Martë, 31 Tetor 2023 / MSH

Maqedonci takohet me delegacionin nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Austri, udhëhequr nga Arsim Vranovci

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci priti delegacionin nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Austri në krye me Avokatin Arsim Vranovci.

Pjesë e delegacionit të Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri ishin Presidenti i saj Arsim Vranovci dhe anëtarët e bordit Bahri Troja, Muhamet Ymeri, Arbresha Meha, Ardian Kryeziu, Delvina Vranovci.

Në këtë takim u diskutua përfshirja e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në dialogun e shteteve të Ballkanit Perendimor për Mbrojtje “Graz Format”, gjë që nuk ka ndodhur në të kaluarën, ku Shoqata e Miqësisë Kosovë-Austri kërkoi nga Ministri i Mbrojtjes i Kosovës pëlqimin që Shoqata t’i drejtohet me një letër kërkesë Ministrisë së Mbrojtjes së Austrisë dhe Deputetit të Parlamentit Federal të Austrisë Andreas Minnich, pëlqim ky që u dha nga Ministri Maqedonci.

Përmes kësaj, Shoqata e Miqësisë Kosovë-Austri synon të kërkojë nga Ministria e Mbrojtjes së Austrisë që Ministri i Mbrojtjes i Kosovës të përfshihet në të gjitha iniciativat e ardhshme lidhur me çështjen e mbrojtjes me shtetet e Ballkanit Perëndimor të organizuara nga Ministria e Mbrojtjes e Austrisë.