75 Mall Live Search
13:03 / E Premte, 03 Nëntor 2023 / L K

Konjufca priti në takim raportuesen për anëtarësimin e Kosovës në KE, Dora Bakoyannis

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim  raportuesen për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis.

Në takim, ndër të tjera u bisedua për gjendjen politike në vend, me theks të veçantë në proceset integruese të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kryeparlamentari Konjufca vlerësoi rëndësinë e anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në Këshill të Evropës dhe kërkoi mbështetje nga raportuesja Bakoyannis.

Znj. Bakoyannis e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke shtuar se raporti fakt-mbledhës, të cilin do të hartojë pas qëndrimit në Kosovë, do të shërbejë si bazë për vijimin nëpër procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.