75 Mall Live Search
09:53 / E Shtunë, 18 Nëntor 2023 / Gj. Sh

Dogana dhe Policia aksion në Veri, institucionet e sigurisë japin detaje!

Dogana e Kosovës në asistim nga Policia e Kosovës po zhvillojnë një aksion, ku janë bastisur katër lokacione.

Aksioni ka të bëjë me disa zyrtarë doganier të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këtë për Indeksonline e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, ka thënë se dyshohet për disa vepra penale.

“Ky aksion është duke u referuar me urdhër të Prokurorisë Speciale ku dyshohet për veprat penale korrupsion, marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha Lutfiu

Këtë e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Elshani ka thënë se ata kanë asistuar Doganën dhe se janë bastisur katër lokacione. Sipas tij, gjithçka ka shkuar në rregull, derisa lidhur me atë se a ka të arrestuar, ka thënë se do të deklarohet Dogana.

“Ne kemi asistu Doganën gjatë bastisjeve në veri të Mitrovicës. Për më shumë se sa janë arrestuar, ata prononcohen. Katër lokacione janë bastisur, çdo gjë ka shkuar në rregull. Kanë përfunduar bastisjet”, ka thënë Elshani 

Ndërsa raportohet se deri tani janë arrestuar 9 zyrtarë të Doganës dhe një polic.