75 Mall Live Search
12:15 / E Premte, 05 Janar 2024 / L K

Stojanoviqi publikon dokumentin: Sanduloviqi u rrah nga BIA, vendosi lule te varret e Jasharëve

Avokati serb, Çedomir Stojanoviq, ka publikuar pamje të politikanit serb Nikola Sanduloviq i cili u rrah brutalisht në ndërtesën e BIA-s serbe nga data 3 deri më 4 janar, 2024.

Stojanoviq ka thënë se Sanduloviqi është rrahur për shkak se postoi një video në platformën X ku shihej duke vënë lule te varrezat e familjes Jashari në Prekaz dhe për faktin se kishte kërkuar falje për krimet serbe në Kosovë, raporton Klankosova.tv.

Avokati tha se politikani i rrahur në video shihet teksa largohet nga Qendra Emergjente e spitalit në Beograd e po dërgohet në Burgun Qendror, me urdhër të prokurorit publik të qytetit të Nishit.

Ai thotë se jeta e Sanduloviqit “është në rrezik”.

“Ata po e marrin Nikolan sepse vendosi lule në varret e shqiptarëve. Është kjo një akuzë zyrtare dhe formale kundër tij. Më lejoni të përsëris: akuza zyrtare dhe formale është se ai ‘përhapi urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule në varrezat e shqiptarëve dhe kërkoi falje nga shqiptarët për krimet e kryera’”, deklaroi Stojanoviq.

Ai postoi edhe dokumentin që dëshmon akuzën ndaj Sanduloviqit.

“Këtu mund të shihni vendimin/urdhrin e Prokurorit të Lartë Publik nga Nishi për të arrestuar Nikola Sanduloviqin për: ‘Postimin e tij në rrjetin social X ku vendosi lule në varret e shqiptarëve në Kosovë’”, shkroi në një postim tjetër avokati Stojanoviq.