75 Mall Live Search
12:32 / E Enjte, 11 Janar 2024 / mp

Kurti për ndalimin e mallrave serbe: S’ka masë tregtare por duam ta përmirësojmë situatën e sigurisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ekziston masë tregtare me Serbinë, kur u pyet për ndalimin e futjes së mallrave serbe por tha se “të gjitha këto janë në përputhje me situatën e sigurisë”.

Serbët janë ankuar se ka disa muaj që Qeveria e Kosovës e ka ndaluar futjen e mallrave serbe në vend.

“Sa i përket kushteve të sigurisë në Kosovës, sa i përket kufirit tonë me Serbinë, nuk janë ende të mira. Sa i përket asaj se çfarë malli lejohet të importohet apo çfarë vetura, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Dogana është adresa e duhur. Nuk dëshirojmë të ketë diskriminim dhe nuk ekziston asnjë masë tregtare me Serbinë, por të gjitha këto janë në përputhje me situatën e sigurisë, e cila ne dëshirojmë që të përmirësohet dhe normalizohet”, tha Kurti.

Këtë veprim të Qeverisë e pati kundërshtuar Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Një zëdhënës i Ambasadës pati thënë se meqenëse Kosova dhe Serbia përpiqen për integrim evropian, duhet të ndërmarrin veprime “që promovojnë më tej qarkullimin e lirë të mallrave përtej kufijve të saj, jo veprime që e pengojnë atë”.

Kurti pati thënë se ky vendim për të cilin nuk ka pasur njoftim zyrtar, ishte marrë për arsye sigurie dhe jo ekonomike.