Një vit i ngarkuar dhe potencialisht përcaktues për BE-në

Këtë vit, Bashkimi Evropian do të përqendrohet në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, që do të zhvillohen në të gjithë bllokun 27-anëtarësh nga data 6 deri më 9 qershor.
Votimi, pastaj, do t’i hapë rrugë zgjedhjes së tri pozitave kryesore institucionale në Bruksel: presidentit të Këshillit Evropian dhe atij të Komisionit Evropian, si dhe shefit të politikës së jashtme të BE-së.
Janë kryeministrat dhe presidentët e vendeve anëtare ata që i zgjedhin kandidatët për këtë rol, duke përzgjedhur shpesh në mesin e grupit të tyre.
Gjithashtu, duhet të ketë një shtrirje të mirë gjeografike, që do të thotë se pozitat u shpërndahen njerëzve nga pjesët veriore, jugore, perëndimore dhe lindore të BE-së.
Ky sezon i zgjedhjes së posteve, si në prapaskenë ashtu edhe në publik, nisi në fillim të këtij viti me Charles Michelin – presidentin e Këshillit Evropian, i cili përcakton drejtimin politik dhe prioritetet e BE-së – i cili, më 7 janar, njoftoi se do të garojë si kandidat për zgjedhjet e Parlamentit Evropian.
Ky njoftim i papritur do ta rrisë vëmendjen e liderëve të BE-së, pasi hap mundësinë që kryeministri hungarez, Viktor Orban – i cili është i përfshirë në mosmarrëveshje të ndryshme me bllokun sa i përket sundimit të ligjit në vendin e tij dhe shpesh nuk është treguar bashkëpunues me Brukselin, sidomos për Ukrainën – të bëhet president i Këshillit. Orban nuk do të ishte një zgjedhje e dëshiruar në Bruksel apo në shumicën e shteteve anëtare.
Orban mund të bëhet president i Këshillit vetëm në bazë të një teknike. Sipas rregullave të BE-së, nëse nuk ka një president të përhershëm të Këshillit Evropian – pozita aktuale e Michelit – vendi që mban presidencën e radhës gjashtëmujore të BE-së, merr përsipër funksionet e presidentit. Dhe, Hungaria është shteti që do ta ketë presidencën e radhës nga 1 korriku.
Megjithatë, kjo ka pak gjasa të ndodhë. Michel, nëse zgjidhet në Parlamentin Evropian, vendin e tij pritet ta marrë në mes të korrikut. Dhe janë dy samite të BE-së, të planifikuara tashmë për në qershor, për t’u pajtuar për tri pozitat e larta, dhe shanset janë të mëdha që të gjendet një pasardhës.
Në votimet e Këshillit Evropian, nuk ka mundësi vetoje për Hungarinë apo ndonjë vend tjetër. Vendimet merren nëpërmjet votimit me shumicë, duke u mbështetur kështu në 55 për qind të shteteve anëtare të BE-së, që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së BE-së.
Normalisht, presidenti i ri i Këshillit do ta merrte pozitën e tij në fund të vitit. Mandati i Michelit, për shembull, zgjat deri më 30 nëntor. Por, ky vakum i mundshëm i pushtetit midis përzgjedhjes së mundshme të pasuesit në qershor dhe marrjes së detyrës në fund të vjeshtës, nuk ka gjasa të krijojë një derë të pasme për Orbanin, pasi pasardhësi i zgjedhur mund ta nisë mandatin që në verë. Nisja e hershme do të kërkonte vetëm një ndryshim në rregullat e procedurës, që mund të arrihet me një shumicë të thjeshtë.