75 Mall Live Search
11:56 / E Premte, 19 Janar 2024 / L K

Dy kryetarët e PDK-së në veri flasin për peticionin, njëri vendos të mos konkurrojë më

Qytetarët prej disa ditësh kanë nisur të nënshkruajnë peticionin për rrëzimin e kryetarëve në katër komunat veriore.

Në komunën e parë që nisi këtë peticion ishin qytetarët e Komunës së Mitrovicës Veriore, me kryetar Erden Atiqin.

Ndërsa, janë ndjekur edhe nga komunat të Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit.

Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka thënë për IndeksOnline-n se nënshkrimet kanë nisur dhe se një numër i madh qytetarësh po merr pjesë.

“Sot kanë nisur nënshkrimet në Komunën e Zveçanit, një pjesë e madhe është duke marrë pjesë. Ende është herët, mund edhe të ndodhë të ndikojnë nënshkrimet”, ka thënë Peci.

Më tej, i pyetur se a do të konkurrojë përsëri për kryetar të kësaj komune, tha se ende është herët të flasë.

Ndryshe nga Peci, kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri nga PDK-ja, vlerëson se këto nënshkrime të qytetarëve do të dalin të pasuksesshme.

“Edhe në komunën tonë kanë nisur peticionet, gjendja është e qetë, unë konsideroj që s’do të dalë i suksesshëm”, bëri të ditur Zeqiri.

Gjithashtu u shpreh pozitivisht se nuk do të ketë zgjedhje, por jo aq pozitiv se nëse do të konkurrojë për zgjedhje të ardhshme.

“Nuk e di nuk besoj, por nuk shoh ndonjë palë zgjedhje”, tha Zeqiri.