Bislimi për mos heqjen e masave: Ka pakënaqësi në mes të vendeve anëtare se cili është mekanizmi për largimin e tyre

Zëvendëskryeministri Besnik Bisilimi, ka thënë se pavarësisht që Kosova ka zbatuar pikat e planit katërpikësh, BE-ja ka ende nuk ka marr vendim për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ai këto deklarime i bëri në Komisionin për Integrime Evropiane, ku tha se se Kosova i ka përmbushur obligimet e saj siç janë paraparë me dokument e Bratisllavës.
Zëvendëskryeministri deklaroi se nuk e dinë ende se kur BE-ja do t’i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Masat janë vendosur në fund të majit, nga Komisioni Evropian dhe janë rezultat i eskalimit që ka ndodhur në veri të Kosovës me datën 29 maj të vitit të kaluar kur protestuesit serbë kanë sulmuar KFOR-in, gazetarët dhe qytetarët tanë. Ka ekzistuar një bindje që Qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë për de-eskalimin e situatës. Në letrën që na është dërguar për vendosjen e këtyre masave thuhet që masat janë të përkohshme, janë të kthyeshme dhe të bazuara në një proces kredibil të de-eskalimit të situatës në veri”.
“Me gjasë ka pakënaqësi në mes të vendeve anëtare se cili është mekanizmi për largimin e masave, por ka presion dhe frustrim edhe brenda vendeve anëtare se si ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm pse ka dërguar katër kryetar të komunave në zyre që i kanë fituar përmes zgjedhjeve të lira, ndërsa Serbia nuk ka masa pavarësisht agresionit terrorist që ka bërë në Banjskë. Pra ka një qasje tërësisht të pabalancuar të BE-së dhe një qasje që e ka dëmtuar vendin tonë”, tha ai.