75 Mall Live Search
23:01 / E Premte, 26 Janar 2024 / Gj. Sh

Trump detyrohet të paguaj mbi 83.3 milionë dollarë shkrimtares Carroll

Ish-presidenti Donald Trump duhet t’i paguajë 83.3 milionë dollarë shkrimtares E. Jean Carroll për deklaratat publike që ai bëri në vitin 2019 duke përçmuar Carroll dhe duke mohuar akuzat e saj për përdhunim, vendosi të premten një juri federale në Manhattan.

Juria vendosi se Trump duhet t’i paguajë Carroll dëmshpërblim prej 18.3 milion dollarë – 11 milion dollarë për të financuar një fushatë për rregullimin e reputacionit dhe 7.3 milion dollarë për dëmin emocional të shkaktuar nga deklaratat publike të Trump në vitin 2019.

Trump duhet të paguajë gjithashtu edhe 65 milionë dollarë si dëmshpërblim ndëshkues për veprimin me qëllim të keq në bërjen e deklaratave për Carroll.

Vitin e kaluar juria ka hedhur poshtë pohimin e Carroll se zoti Trump e ka përdhunuar, ndonëse është pajtuar se ajo ishte abuzuar seksualisht.

Javën e kaluar, Carroll gjatë dëshmisë së saj tha se karriera e saj është shkatërruar nga deklaratat e Trump rreth pretendimeve të saj gjatë pesë viteve të fundit, përfshirë së fundi gjatë fushatës zgjedhore për president.

Ajo tha se nga frika për sigurinë ka blerë plumba për armën e saj dhe ka vendosur sistem alarmi elektronik përreth shtëpisë.

Të enjten Trump tha se ai qëndron “100%” prapa komenteve që ka bërë në dëshminë e tij në tetor të vitit 2002, ku mohoi akuzat e autores Carroll.