Irani mohon përfshirjen në sulmin me dron ndaj bazës amerikane në Jordani

Irani mohoi të dielën se ka pasur gisht në sulmin ndaj bazës ushtarake amerikane në Jordani, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit, duke cituar misionin e përhershëm të vendit në Kombet e Bashkuara. Nga sulmi me dron humbën jetën tre ushtarë amerikanë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
“Përfaqësuesi i Republikës Islamike të Iranit në Kombet e Bashkuara të dielën mbrëma i tha IRNA se Irani nuk kishte asnjë lidhje me sulmin në bazën amerikane”, thuhet në raport. Sulmi shënoi herën e parë që trupat amerikane vriten nga sulmet në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës në Gaza.
Të dielën, presidenti i SHBA-së Joe Biden u zotua të vërë para përgjegjësisë autorët për vdekjet dhe fajësoi për sulmet grupet militante të mbështetura nga Irani.
Rezistenca Islamike në Irak, një grup ombrellë për disa milici të mbështetura nga Irani në vend, tha se sulmoi një numër vendesh përgjatë kufirit Jordani-Siri të dielën, duke përfshirë një kamp pranë bazës amerikane në Jordani , ku u vranë ushtarë./abcnews.al