BE-ja kërkon marrëveshje për rregulloren e BQK-së

Bashkimi Evropian kërkon që të shtyhet zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës me të cilën ndalohet përdorimi i valutës serbe dinari në territorin Kosovar. Kjo shtyrje, sipas zyrtarëve në Bruksel do ishte në shërbim të gjetjes së zgjidhjes për këtë çështje në kuadër të dialogut mes Kosovës e Serbisë.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano deklaroi se ndonëse institucionet evropiane ka parasysh se rregullorja në fjalë synon të reduktoj paratë e falsifikuara, të mbrojë stabilitetin financiar, si dhe të rrisë transparencën e flukseve të parasë në Kosovë, megjithatë e njëjta sipas tij, ngre shqetësime lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetin serb në vend.
“Kjo rregullore ngritë shqetësime, veçanërisht për shkolla dhe spitale, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa apo ndihma financiare nga Serbia. Duke pasur parasysh pasojat e mundshme të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspektet që lidhen me komunitetin serb në Kosovë të adresohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ne bëjmë ftesë për një periudhë të mjaftueshme transitore që mundëson gjetjen e një zgjidhjeje të negociuar”, theksoi Stano.
Ky apel i institucioneve në Bruksel vjen pasi që Ambasadorët e shteteve të QUINT-it gjatë takimit me kryeministrin Albin Kurti, kanë kërkuar që Kosova të pezullojë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.
Këtë temë pritet ta trajtoj me bashkëbiseduesit e tij edhe përfaqësuesi i veçantë për dialogun Miroslav Lajçak, i cili këto dy ditë viziton Beogradin dhe Prishtinën.