Një muaj paraburgim për të dyshuarin që bleu dhe shiti narkotikë

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit G.K për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Gjyqtarja e Procedurës Paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe të pandehurit G.K iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.
Masa e paraburgimit është caktuar në kuptim të nenit 184 paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.