Rrethimi i IAK-së nga serbët, Haradinaj: Rezistenca e punonjësve, shembull frymëzues i krenarisë dhe vendosmërisë

Marsi i 1994-ës shënon rrethimin e Institutit Albanologjik të Kosovës nga policia serbe.
Kështu thotë edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ai thotë se rezistenca e punonjësve të Institutit, në krye me profesorin, Sadri Fetiu, theksoi përpjekjen e tyre të padiskutueshme për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe shkencore të Kosovës.
“Në marsin e vitit 1994, policia kriminale serbe rrethoi Institutin Albanologjik të Kosovës, që ishte një simbol i diturisë dhe patriotizmit për shqiptarët. Të shumta në numër, forcat policore përpiqeshin të uzurponin ndërtesën e Institutit”, shkroi Haradinaj në Facebook.
“Kjo ngjarje e shënuar nga rezistenca e guximshme e punonjësve të Institutit, në krye me Profesorin Dr. Sadri Fetiu, theksoi përpjekjen e tyre të padiskutueshme për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe shkencore të Kosovës”.
“Rezistenca e tyre u bë një shembull frymëzues i krenarisë dhe vendosmërisë së intelektualëve shqiptarë, duke bërë jehonë të madhe në vend dhe përtej kufijve”.