Princesha Catherine njofton se është diagnostikuar me kancer

Catherine, princesha e Uellsit, zbuloi të premten se ajo është diagnostikuar me kancer dhe është në “fazat e hershme” të trajtimit.
Njoftimi, të cilin princesha e përshkroi si një “tronditje të madhe”, erdhi në një video-mesazh, shkruan CNN, transmeton Indeksonline.
Lajmi erdhi dy muaj pasi ajo ishte larguar përkohësisht nga jeta publike pas pohimeve atë kohë se bëhej fjalë për një operacion për një gjendje abdominale jo-kancerogjene.
“Në janar, iu nënshtrova një operacioni të madh abdominal në Londër dhe në atë kohë, mendohej se gjendja ime nuk ishte kanceroze”, tha Catherine, 42 vjeç, e cila është e martuar me trashëgimtarin e fronit britanik, princin William.
“Operimi ishte i suksesshëm. Megjithatë, testet pas operacionit zbuluan se kanceri ishte i pranishëm. Prandaj ekipi im mjekësor më këshilloi që duhet t’i nënshtrohem një kursi kimioterapie parandaluese dhe tani jam në fazat e hershme të atij trajtimi.”
Kate vazhdoi se diagnoza e saj ishte “një tronditje e madhe” dhe se William dhe ajo po bëjnë gjithçka që munden për ta përpunuar dhe menaxhuar këtë privatisht për hir të familjes së tyre.