LDK i quan “propagandë” deklarimet e Qeverisë për investimet kapitale

Investimet kapitale të Kosovës në vitin 2023, nuk kanë qenë më të lartat në historinë e Kosovës, siç po propagandon Qeveria me deklarata të pavërteta, thuhet në një postim në “Facebook” të publikuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
“Investimet kapitale përgjatë tre viteve të kaluara janë në nivelin më ulët historik. Sepse në mesatare, gjatë tre viteve, të dhënat tregojnë se vetëm 11% e buxhetit të shtetit janë investime qendore.
Gjatë pandemisë, në mbyllje totale e krizë botërore, investimet ishin 10%, ngjashëm sikurse në këto tre vite të kësaj Qeverie, përqindja është e njëjtë!Për krahasim, në vitin 2023 investimet qendrore ishin 348 milionë euro, njëjtë siç ishin në vitin 2017 kur buxheti ishte 1.8 miliardë euro, e jo me 2.8 miliardë sa ishte në vitin 2023.Merita nuk mund të marr një Qeveri që llogaritë investimet e komunave, si të vetat.
Propagandën e tyre e kundërshtojmë me fakte e të dhëna zyrtare që hedhin poshtë këto manipulime. LDK do të vazhdojë t’i publikojë këto fakte në një cikël të postimeve”, thuhet në reagimin e LDK-ë.