75 Mall Live Search
13:43 / E Hënë, 08 Prill 2024 / L K

Zëvëndëskryeministrja Redzepi në SHBA, merr pjesë në disa aktivitete

Zëvëndëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Emilija Redzepi ka qenë në një udhëtim zyrtar në SHBA. Atje ka qenë prezente në disa konferenca dhe darka gala duke e prezantuar Republikën e Kosovës.

“Jam krenare që javën e kaluar pata rastin të përfaqësoj Republikën e Kosovës në ngjarje të ndryshme në Amerikë, si në Nju Jork në selinë e Kombeve të Bashkuara ashtu edhe në Los Angeles të Kalifornisë. Kam marrë pjesë në konferenca të ndryshme, shfaqje televizive dhe darka gala, ku kam ndarë vizionet e mia për të drejtat e njeriut, paqen, solidaritetin dhe fuqinë e shpresës. Ishte një nder i madh që mora Çmimin e Paqes, në të njëjtën kohë me ish-Presidentin e Ekuadorit, i cili konfirmon përkushtimin tonë për paqen globale dhe dashurinë mes popujve të botës.

Në fjalimet e mia theksova rëndësinë e solidaritetit, tolerancës dhe mbrojtjes së komuniteteve shumëkombëshe. Kosova, si shteti më i ri në botë, një vend që pësoi luftëra dhe konflikte të ndryshme, ku humbën mijëra jetë civilë dhe të pafajshëm, fëmijë, gra, qindra njerëz, ku edhe 24 vjet pas luftës kemi mijëra të pagjetur por edhe një vend plot shpresë, plot me të rinj që luftojnë vazhdimisht për drejtësi, barazi dhe respekt të ligjit. Nëpërmjet përvojës sonë, ne kuptuam se shpresa është forca kryesore që na shtyn drejt ndërtimit të një të ardhmeje më të sigurt, më progresive dhe më të përgjegjshme.E kaluara është e dhimbshme dhe nuk mund të harrohet, por të gjithë jemi të detyruar të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët tanë. Një vend, pa dallim kombi, feje, kulturash, traditash dhe zakonesh të ndryshme, këto janë vlerat e Kosovës tonë multietnike dhe ne po luftojmë me të gjitha forcat për t’i ruajtur dhe ushqyer ato si pasuri kombëtare.

Në një botë që përballet me sfida komplekse, ne duhet të mbështetemi në forcën e ndërgjegjes dhe besimit për një të nesërme më të mirë. Besoj se vetëm me përpjekje të përbashkëta mund të formojmë një botë që mbështetet në themelet e paqes, dashurisë dhe solidaritetit.

Falenderoj Federatën për Paqe dhe Dashuri Botërore dhe Misionin e Përhershëm të Kiribatit në Kombet e Bashkuara për punën e tyre të përkushtuar për të promovuar paqen dhe mirëkuptimin midis popujve.Bisedat tona të frymëzojnë shpresë, të nxisin ndryshimin dhe të hapin rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme për të gjithë brezat që do të vijnë” ka thënë Redzepi në njofti./Indeksonline/