75 Mall Live Search
10:31 / E Premte, 12 Prill 2024 / k.v

Hetimet e mëtejme/ Policia largon nga vendi i ngjarjes veturat e dëmtuara nga shpërthimi i granatës (Foto)

Veturat e dëmtuara mëngjesin e sotëm nga shpërthimi i granatës së dorës në Prishtinë, po konfiskohen nga policia për ekzaminime të mëtejme.

Janë gjashtë vetura që kanë pësuar dëme e që dyshohet se cak ishte BMW e reperit kosovar, Agon Abdullahu, i njohur për publikun si Noga.

Policia ka deklaruar për IndeksOnline se nga ky shpërthim që është regjistruar të këtë ndodhur rreth orës 07:00, nuk ka persona të lënduar.

“Rreth orës 07:00  është pranuar informata për një shpërthim në rrugën “Zekirja Cana” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para bëhet e ditur se si pasojë e shpërthimit nga fragmentet e mjetit shpërthyes  gjashtë vetura janë dëmtuar përderisa nuk raportohet për pasoja në njerëz”, ka thënë Agron Borovci, zëdhënës i Policisë Rajonale të Prishtinës.

Përgjatë kryerjes së ekzaminimit të vendngjarjes rruga është bllokuar për lëvizje ndërkaq njësia për menaxhimin e mjeteve shpërthyese ka bërë pastrimin e terrenit.

Rezultatet e para sugjerojnë që mjeti shpërthyes të ketë qenë granatë dore, ndërkohë që policia po vijon me ndërmarrjen e veprimeve të tjera për ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen./IndeksOnline/