Serbia akuzon SHBA-në e BE-në për përgjegjësi direkte për arrestimin e një serbi në veri

E ashtuquajtura zyra për Kosovë e Qeverisë së Serbisë ka akuzuar sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian se janë “drejtpërdrejt përgjegjëse” për arrestimin e Sreçko Sofronijeviq nga Zveçani, shkruan Danas.
Përmes një deklarate kjo zyre ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me forcat e tij speciale ka qenë “ekzekutuesi i thjeshtë” i arrestimit të Sofronijeviqit.
“Prishtina akuzon Srećko Sofronijeviqin se gjoja ka shkelur të ashtuquajturin rend kushtetues, të ashtuquajturën Kosovë, vetëm sepse ai po mbronte shtëpinë e tij kur Rosa (njësitë speciale të policisë së Kosovës) bastisi Zveçanin më 13 tetor 2021 dhe hodhi gaz lotsjellës në serbët dhe më pas ka qëlluar Sreçkon, i cili ishte në rrezik për jetën”, thuhet në reagimin e kësaj zyre.
Arrestimi i tij është bërë në Bërnjak, dhe të njëjtit i është caktuar masë ndalimi prej 48 orësh.
Sofronijeviq ishte në kërkim nga autoritetet e Kosovës, si pjesëmarrës në përplasjet e serbëve kundër aksionit të Policisë së Kosovës në parandalimin e kontrabandave me mallra.
Ky është njoftimi që bëri policia, mbi arrestimin e tij:
Sot në Bërnjak është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar S.S. (viti i lindjes 1985), me vendbanim në Zveçan.
I dyshuari, tanimë i arrestuar nga Policia e Kosovës, është i dyshuar për disa vepra penale si: ‘vrasje e rëndë në tentativë’, ‘sulm ndaj personit zyrtar’, ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’, ‘thirrje për rezistencë, pjesëmarrja në turmë dhe huliganizëm, asgjësim apo dëmtim i pronës’ etj, të cilat dyshohet se i ka kryer gjatë vitit 2021.
Këto veprime të dyshimta kriminale nuk janë protesta paqësore siç pretendohet e raportohet gabimisht.
Të gjitha veprimet janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente, me autorizim të së cilës të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.