75 Mall Live Search
09:02 / E Enjte, 02 Maj 2024 / MSH

Blinken thotë se ka ardhur koha për marrëveshjen Izrael-Hamas në Gaza

 Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u ka thënë Izraelit dhe Hamasit se “ka ardhur koha” për një marrëveshje për të sjellë një armëpushim në Gaza dhe për të liruar pengjet e mbetura të mbajtura atje.

Blinken tha se një marrëveshje ishte në tryezë dhe Hamasi duhet të pajtohet me të, shkruan BBC.

Edhe ndërmjetësuesit po presin një përgjigje nga Hamasi për propozimin e fundit.

Propozimi thuhet se përfshin një armëpushim 40-ditor dhe lirimin e më shumë se 30 pengjeve izraelitë në këmbim të shumë të burgosurve palestinezë.

“Ne jemi të vendosur të marrim një armëpushim që sjell pengjet në shtëpi dhe ta marrim atë tani, dhe arsyeja e vetme që kjo nuk do të arrihet është për shkak të Hamasit” tha Blinken teksa takoi presidentin izraelit, Isaac Herzog në Tel Aviv.

“Ka një propozim në tavolinë, dhe siç kemi thënë, nuk ka vonesa, nuk ka justifikime. Koha është tani.”

Diplomati i lartë amerikan më vonë vizitoi portin izraelit të Ashdodit, rreth 30 km në veri të Gazës, ku ai këmbënguli se Izraeli kishte bërë lëshime domethënëse për të arritur një marrëveshje për pengje dhe armëpushim.

Në anën tjetër, një zyrtar i lartë i Hamasit ka mohuar se grupi është fajtor për vonesat në arritjen e një marrëveshjeje të re.