Sezon zhgënjyes, Manchester Unitedi me të njëjtin ritëm si Salernitana

Java e 36-të e Premier League u mbyll me surpriza, me Crystal Palace, që triumfoi 4-0 ndaj Manchester Unitedit.
Humbja e 13 sezonale për “Djajtë e Kuq” të cilët regjistruan rekordin negativ të klubit, pasi për herë të parë në histori, Manchester Unitedi bën bashkë kaq humbje në një sezon të vetëm në elitën e futbollit anglez.
Jo vetëm kaq, por skuadra e Erik ten Hag tani ka pësuar 81 gola në këtë pikë të edicionit në të gjitha kompeticionet, duke e bërë atë mbrojtjen e katërt më të dobët të top pesë ligave kryesore të kontinentit.
Sheffield Unitedi me 105 gola të pësuar, Luton me 89 dhe West Ham me 86 gola kanë pësuar më shumë, teksa Manchester Unitedi ka të njëjtin rendiment si Salernitana, skuadër e cila prej javësh ka “firmosur” rënien në Serie A.
Numra zhgënjyes për një skuadër që e nisi sezonin me shumë ambicie, ndërsa humbja e fundit në Londër mund të ndikojë edhe në llogaritë e fundit për zonën europiane.
Në shtatë takimet e fundit, United ka arritur të marrë vetëm një fitore, katër barazime dhe dy humbje, teksa gjithçka ka mbetur nga ky sezon është finalja e FA Cup përballë Manchester City-n, takim që do të luhet më 25 Maj.