75 Mall Live Search
10:41 / E Mërkurë, 08 Maj 2024 / MSH

Ish-kryetarja e Berlinit sulmohet fizikisht në një bibliotekë qyteti

Senatorja nga Berlini, njëherazi edhe ish-kryetare e kryeqytetit gjerman, është sulmuar fizikisht nga një burrë, në një bibliotekë lokale.

Franziska Giffey, një figurë e njohur në SPD të Gjermanisë, u trajtua shkurtimisht në spital pasi u godit në kokë dhe qafë me një qese “të mbushur me përmbajtje të fortë”, deklaroi policia.

Politikanët dhe punonjësit e fushatës zgjedhore janë vënë në shënjestër ditët e fundit, veçanërisht në Gjermaninë Lindore, shkruan BBC.

Javën e kaluar një kandidat në zgjedhjet evropiane u lëndua rëndë, teksa u sulmua pasi kishte vendosur posterë në Dresden.

Matthias Ecke, 41 vjeç, iu desh të operohej në spital pasi u sulmua nga katër persona. Katër adoleshentë janë duke u hetuar pas incidentit.

Aktivistë të paidentifikuar kanë shtyrë dhe pështyrë edhe punonjësit zgjedhor të partive, të cilët po vendosnin posterë nëpër rrugë.

Policia e Dresdenit tha se dy të dyshuarit kishin qenë pjesë e një grupi që kishin përshëndetur si Hitleri, në momentin kur po vendoseshin afishet.