75 Mall Live Search
09:10 / E Mërkurë, 15 Maj 2024 / MSH

Bideni planifikon të dërgojë edhe mbi 1 miliard dollarë armë në Izrael, pritet miratimi nga Kongresi

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar Kongresin se dëshiron të dërgojë edhe mbi 1 miliard dollarë armë në Izrael.

Paketa në fjalë përfshin raketa tankesh, mortaja dhe automjete taktike të blinduara, shkruan Reuters, transmeton Indeksonline.

Megjithatë, plani në fjalë duhet të miratohet edhe nga ligjvënësit.

Javën e kaluar, presidenti Biden tha se do të ndalonte dërgesat e armëve, nëse Izraeli do të fillonte pushtimin e Rafahut.

Por, ditën e martë, tanket izraelite thelluan depërtimin në zonat e banuara në juglindje të Rafahut.

Një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit të premten zbuloi se disa armë të prodhuara nga SHBA-ja e që i janë dhënë Izraelit, mund të jenë përdorur në shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Muajin e kaluar, Kongresi miratoi një projektligj që ofron 95 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin, Ukrainën dhe Tajvanin.

Transferimet e armëve në Izrael janë bërë një detyrim politik për Biden, përpara zgjedhjeve të këtij nëntori.