75 Mall Live Search
20:08 / E Martë, 21 Maj 2024 / Gj. Sh

Gërvalla dhe senatori demokrat, Gary Peters, flasin për çështje të sigurisë

Përparimi i Kosovës në fushat vitale për qytetarët e saj, gjendja e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, integrimi euroatlantik i Republikës së Kosovës, me theks të veçantë anëtarësimi i Kosovës në NATO si dhe veprimet destabilizuese të Serbisë dhe Rusisë në rajon, ishin temat kryesore të takimit që ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla pati me senatorin nga Partia Demokratike e SHBA-së, Gary Peters.

Gjatë këtij takimi, e shoqëruar edhe nga zëvendësministrja Liza Gashi dhe ambasadori Ilir Dugolli, Gërvalla e njoftoi senatorin amerikan rreth situatës politike në vend, përparimin e arritur në demokratizim të vendit, sundim të ligjit dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Thellimi i bashkëpunimit politik, ushtarak dhe ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishin temat e tjera të diskutimit mes ministres Gërvalla dhe senatorit Peters, e cila e falënderoi senatorin amerikan për mbështetjen që SHBA-vë për Republikën e Kosovës, zhvillimin dhe integrimin e saj euroatlantik.

Pozicionimi i Kosovës në krah të Ukrainës ishte gjithashtu pjesë e diskutimit të ministres Gërvalla me senatorin Peters.

Gërvalla theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rajonal në mbështetje të Ukrainës, duke e vlerësuar këtë si thelbësore për sigurinë dhe paqen afatgjatë në Evropë.