Dëme të mëdha nga breshëri, Hani i Elezit thërret mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit komunal për siguri

Reshje të mëdha të shiut dhe breshërit kanë shkaktuar dëme të mëdha në komunën e Hanit të Elezit.
Dhjetëra vetura, shtëpi e kultura bujqësore janë dëmtuar nga breshëri intensiv i pasditës së sotme, raporton Indeksonline.
Lidhur me këtë, komuna ka thirrur në mbledhej të jashtëzakonshme Këshillin komunal për siguri në bashkësi.
Kryetari i Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, përmes një njoftimi në facebook deklaroi se zjarrfikësit, policia dhe komuna janë në terren me kapacitetet e tyre të plota.
Ky është njoftimi i plotë i Ballazhit:
Të dashur qytetarë të Komunës Hani i Elezit,
Jemi mjaft të shqetësuar pas reshjeve të shiut dhe të breshërit në komunën tonë pasditen e sotme. Komuna e Hanit të Elezit me të gjitha kapacitetet që ka është në terren, zjarrëfikësit dhe policia janë në gatishmëri për çdo rast, gjithashtu në terren do të jenë kompanitë e kontraktuara për pastrimin e hapësirave publike.
Komuna ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi ku do të diskutohen të gjitha veprimet e nevojshme që duhen ndërmarrë.
Uroj që të mos keni pasur dëme në shëndet dhe më lejoni të ju shpreh keqardhje për të gjithë ju që keni pësuar dëme në pasuritë tuaja nga kjo fatkeqësi.
Për çdo situatë, kontaktoni në numrat e telefonit:
112 – Numri unik emergjent;
193 – Njësiti i zjarrfikjes dhe shpëtimit;
192 – Policia e Kosovës.