75 Mall Live Search
11:48 / E Enjte, 30 Maj 2024 / k.v

Mashtrimi i pensionistëve/ Ministria e Financave del me reagim, mos paguani!

Ministria e Financave është deklaruar sa i përket raportimeve për dyshimet se disa pensionistë janë mashtruar.

“Të nderuar përfitues të skemave pensionale në Republikën e Kosovës, siç ju kemi informuar edhe përmes një njoftimi paraprak, udhëzoheni të jeni të kujdesshëm ndaj informatave të rreme që qarkullojnë këto ditë, të cilat kanë për qëllim keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë dhe mund të përbëjnë skema mashtruese apo edhe tendencë për keqpërdorimin e të dhënave personale”, thuhet në reagimin e MF-së.

Lidhur me çdo ndryshim eventual, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe të shmangin informatat dhe shërbimet e tjera jo zyrtare.

“Ftojmë qytetarët të kenë kujdes e të mos bien pre e mashtrimeve dhe dezinformatave, dhe rastet e tilla kur ju premtohen shuma parash në këmbim të një pagese tani, t’i paraqesin edhe në organet e rendit”, thuhet në reagim.

Të martëbn policia ka njoftuar se, më 13 maj 2024 ka pranuar autorizim nga prokurori kompetent lidhur me dyshimet mbi mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të Republikës së Kosovës.

Bazuar në autorizim dhe në informacionet e siguruara, njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për mashtrimet e mundshme ndaj pensionistëve të RKS-së.

Policia e Kosovës po i trajton të gjitha informacionet relevante, përderisa të gjitha veprimet në vazhdim do t’i ndërmarrë në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, andaj njëkohësisht u bën thirrje të gjithë qytetarëve/pensionistëve që të mos bien pre e mashtrimeve të mundshme, dhe për çdo rast të dyshuar ta njoftojnë Policinë e Kosovës, në stacionet më të afërta policore apo në (192) dhe info@kosovopolice.com./IndeksOnline/