KQZ-ja realizoi pagesa për 10 automjete që nuk kishte dëshmi se i dergoi në servis

Zyra e Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin financiarë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku kishte gjetur mosrespektim të procedurave për servisim automjetesh.
Në raportin financiar për KQZ-në për vitin 2023 ky institucion nuk kishte dëshmi me formularë për 10 automjete, të cilat i kishte dërguar në servisim për riparim si edhe mungonin dëshmi me të dhënat e automjeteve për arsyen e servisimit, shkruan Indeksonline.
“Në pagesën për mirëmbajtje dhe servisim të automjeteve në vlerë 6 mijë e 113 euro të datës 20.12.2023, në 17 servisimet/riparimet e realizuara në këtë pagesë për 10 vetura, mungonin formularët me të dhënat e automjeteve, duke përfshirë arsyen e servisimit dhe defektet e paraqitura në automjete.
Gjithashtu, gjatë marrjes së automjeteve nga servisi , zyrtari kompetent i transportit nuk ka ofruar dëshmi, lidhur me verifikimin nëse janë përmirësuar defektet për të cilat automjete janë dërguar në servis. Më tej, nuk kishte raport të menaxherit të kontratës mbi progresin e realizimit të shërbimeve-punëve pas përfundimit të secilit riparim, por vetëm një raport përmbledhës për periudhën maj-tetor 2023”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Po ashtu ZKA-ja ka konstatuar se kjo kishte ndodhur për shkak të mosfunkionimit të duhur të kontrolleve brenda KQZ-së si edhe neglizhencës së zyrtarëve përgjegjës.
Auditori për këtë rast i ka rekomanduar kryetarit të KQZ-së që të forcojë kontrollet në realizimin e servisimit dhe mirëmbajtjes së automjeteve, duke siguruar respektim të plotë të procedurave të përcaktuara me rregullore të brendshme. /IndeksOnline/
