75 Mall Live Search
10:02 / E Mërkurë, 05 Qershor 2024 / MSH

Përfundoi maji, “u avullua” zotimi i Gërvallës për hartimin e draftit të Asociacionit

Më 17 maj, në Këshillin e Evropës nuk u diskutua fare për anëtarësimin e plotë të Kosovës në këtë institucion, pavarësisht lëvizjes kritike që kryediplomatja Donika Gërvalla bëri një ditë përpara.

Gërvalla i shkroi letër presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, duke u zotuar që deri në fund të majit, qeveria do të përgatisë një draft për Asociacionin, i cili do të inspirohet nga propozimi i bërë prej fondacionit FES.

“Letra përmban zotimin që Qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si edhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës”, deklaroi Gërvalla në lëvizjen e bërë, e që nxiti shumë reagime nga opozita dhe njohës të fushës.

Madje, presidentja Vjosa Osmani tha se ishte e shqetësuar për moskonsultimin me të, përpara se të bëhej një zotim i tillë.

Maji përfundoi, por nga qeveria “s’bëhet njeri i gjallë” për këtë çështje.

Një vit më parë, fondacioni “Friedrich Ebert Foundation-FES” publikoi një draftstatut të hartuar të Asociacionit, në të cilin komunat me shumicë serbe do të kishin kompetenca ekzekutive.

Sipas draftit, një statut i Asociacionit që do të miratohet nga kuvendi themelues i Asociacionit, do të jetë akti më i lartë juridik, dhe ai “miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të marrë pushtetin e një qeverie rregullore sipas sistemit juridik të Kosovës pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese”.

Një vit pas publikimit të këtij draft-statuti, nga FES-i thonë për Indeksonline se komunikimi i tyre me institucionet ka qenë i reduktuar.

Koordinatori i projektit në FES, Egzon Osmanaj, ka thënë se puna që ka bërë FES-i me këtë draft, ka qenë plotësisht e pavarur dhe e pandikuar.

“Puna e FES-it ka qenë tërësisht e pavarur dhe e pandikuar qoftë nga institucionet e Kosovës apo aktorë të tjerë. Si fondacion, qëllimi ynë primar ka qenë që të ofrojmë një bazë mbi të cilën do të mund të fillonin diskutimet për gjetjen e një zgjidhje të përshtatshme për zbatimin e obligimit për themelimin e Asociacionit. Komunikimi ynë me institucionet e Kosovës ka qenë i reduktuar në shpërndarjen e studimit tonë me të gjitha institucionet relevante dhe nuk ka pasur ndonjë komunikim tjetër pas publikimit të studimit tonë”, ka thënë Osmanaj.

Ai shtoi se nga FES-i nuk ka pasur koordinime e as komunikime, qoftë me institucionet, qoftë me Brukselin, përgjatë kohës kur është hartuar ky draft.

“Siç e theksova, nuk kemi pasur ndonjë komunikim me cilindo nga institucionet e Kosovës, lidhur me këtë çështje, që nga publikimi i studimit tonë. FES-i mbetet i hapur që të ofrojë ndihmën dhe ekspertizën e vet në shërbim të avancimit të të drejtave dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, kurdo që i kërkohet”, shtoi ai.

Osmanaj thotë se i tërë drafti është bërë duke u bazuar në dokumente publike te institucioneve të Republikës së Kosovës, si edhe mbi zhvillimet e bëra vite më parë në Bruksel, përfshirë marrëveshjen e prillit të 2013-s, dakordimin e vitit 2015, dhe aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me këtë çështje.

“Duke qenë se këto dokumente mbeten të njëjtat edhe pas një viti, edhe studimi ynë do të kishte përmbajtjen e njëjtë, edhe po të shkruhej këtë vit. puna jonë është krejtësisht e bazuar në dokumente publike, zyrtare, në të cilat Republika e Kosovës ose ka qenë palë, ose është hartuese e tyre. Ne, si fondacion, të gjithë punën tonë e ndërtojmë mbi gjendjen faktike ekzistuese”, përfundoi Osmanaj.

Indeksonline ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të marrë qëndrimin e tyre, pse jo dhe një datë të publikimit të këtij drafti të zotuar, por nga të njëjtit nuk ka marrë përgjigje./Indeksonline/