Një muaj paraburgim për të dyshuarin që kreu grabitje me armë

Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur në çështjen penale ndaj të pandehurit L.S për shkak të veprave penale: “Grabitje”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit L.S dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi që nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për procedurën penale, ka rrezik të ikjes.
Po ashtu, gjykata vlerësoi se nëse i pandehuri do të jetë në liri mund të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprave penale ose do të pengojë rrjedhën e procedurës penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.