75 Mall Live Search
16:14 / E Martë, 16 Korrik 2024 / MSH

AKP-ja jep detaje mbi mbylljen e tri pompave të benzinës në veri

Gjatë ditës së sotme, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka mbyllur tri pompa të benzinës: një në Mitrovicë të Veriut, një në Zubin Potok dhe një në Ujman.

Sipas AKP-së, qiramarrësit e këtyre pompave të derivateve kanë qenë duke operuar pa licencim.

“Sot, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës dhe me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kemi dalë në terren, ku pas vizitave dhe inspektimeve, është vërtetuar se tri pika të karburanteve nuk janë të pajisura me licencë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe dy prej tyre nuk janë as të fiskalizuara. Kjo përbën shkelje të kontratave të qirasë me AKP-në dhe Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme, duke cenuar kështu sigurinë e konsumatorëve dhe të mjedisit” thuhet në komunikatën e AKP-së, raporton Indeksonline.

Inspektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, me vendim të menjëhershëm, ka ndërprerë veprimtarinë e këtyre bizneseve, teksa edhe AKP-ja ka njoftuar se do të ndërpresë kontratat e qirasë.

“Agjencia ua bën me dije të gjithë qiramarrësve, ashtu siç është përcaktuar në kontratën e qirasë, se duhet të operojnë në përputhje me legjislacionin e Kosovës” përfundon njoftimi i AKP-së./Indeksonline/