75 Mall Live Search
20:16 / E Martë, 23 Korrik 2024 / MSH

Hoti: A mund të bëhen sulmet ndaj mediave, pa u orkestruar nga partia në pushtet?!

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thënë se sulmet ndaj mediave nuk bëhen pa dijeninë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Hoti e ka cilësuar si lajm të mirë distancimin e disa prej gazetarëve të RTK-së nga kronika në lajmet qendrore, ku dy media kosovare atakohen si të “ndikuara nga Serbia”, duke iu thirrur në burimet e një mediumi boshnjak.

“Radio Televizioni i Kosovës është i Kosovës, ata që po e keqpërdorin këtë medium publik nuk po i shërbejnë Kosovës.

E kam ngritur shumë herë në Komisionin për Buxhet mos profesionalizmin e Bordit të RTK-së dhe tendencën e partisë në pushtet për instrumentalizim të mediumit publik. Sot, mediat e tjera po sulmohen nga televizioni publik, për të cilin paguajmë mbi 8 milionë nga taksat tona. A mund të bëhen këto sulme pa u orkestruar nga partia në pushtet, ku nuk bëhet asgjë pa dijeninë e kreut të Qeverisë dhe kreut të partisë në pushtet”, ka thënë Hoti.

“Përherë do të jemi në mbrojtje të fjalës së lirë. Këtë herë u etiketuan Nacionale.com dhe Periskopi, nesër mund të jenë të tjerë që thonë të vërteta që nuk i pëlqejnë partisë në pushtet.

Lajm i mirë për gazetarinë në Kosovë është distancimi i gazetarëve të RTK-së nga këto akte të shëmtuara që vetëm gazetari nuk janë. Fjala e lirë është themeli i demokracisë. Nëse cenohet fjala e lirë, cenohet demokracia për të cilën në Kosovë janë sakrifikuar breza të tërë”, ka deklaruar Hoti.