Gashi për serbët e Kosovës: S’mund t’i trajtojmë si lopët në Indi

Avokati Tomë Gashi ka folur lidhur me trajtimin që ju bëhet serbëve të cilët jetojnë në Kosovë.
Në emisionin ‘’Rubikon’’, Gashi është shprehur se serbët në Kosovë ‘nuk mund t’i trajtojmë si lopët në Indi’.
“Ata, kushtimisht të themi, nuk mund t’i trajtojmë si lopët në Indi. Besoj që për më tepër se këto 3-4 vitë, që ka ndodhur, kanë ndodhur krejt gjëra të mira sa i përket ruajtjes së territorit. Këtë pjesën e veriut, deri para tri vitesh e kanë kontrolluar bandat kriminale serbe në krye me Radoiçiqin e disa të tjerë që më nuk janë.Mirë kanë bërë serbët që s’kanë dalë në zgjedhje, pasi kanë deklaruar faktikisht që janë më mirë me këta katër kryetarë shqiptarë, sesa t’iu kthehet Lista Serbe. Nëse do të dilnin, do të fitonte Lista Serbe”, tha Gashi.
Më tutje avokati Gashi ka folur edhe lidhur me bastisjet që po ndodhin në veri të vendit.
“Besoj se të gjithë e dimë që nëse paraprakisht ka shkuar dikush në bastisje të ndonjë shtëpie, kanë qenë sirenat që nuk janë më dhe e kanë pasur të detyrueshme që të dalin në protesta. Sot, policia jonë bën pothuajse çdo ditë bastisje e arrestime dhe kurrkush nuk proteston”, tha ai.
Në fund Gashi u shpreh se emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, “kanë punuar vetëm për Serbinë”./Indeksonline/