Thirrjet raciste nga tifozët, Shqipëria dënohet nga UEFA-ja edhe pas “Euro-s 2024”

Federata Shqiptare e Futbollit dhe 6 federata të tjera janë gjobitur nga UEFA-ja për shkak të koreve raciste dhe diskriminuese të tifozerive përgjatë finaleve të kampionatit europian “Gjermania 2024”.
Nëpërmjet një njoftimi, UEFA-ja ka vendosur të gjobisë me 30 mijë euro Federatën Shqiptare të Futbollit për shkak të ngjarjeve në dy prej ndeshjeve të Kombëtares Shqiptare, ndaj Kroacisë dhe Spanjës, ku objektiv i hetimit ishin sjelljet raciste dhe diskriminuese të tifozëve shqiptarë.
“Komisioni i etikës dhe disiplinës vendosi ta gjobitë FSHF-në 30 mijë euro dhe ta ndalojë federatën nga shitja e biletave për ndeshjen e saj të radhës në kompeticionet e UEFA-s si udhëtuese, për shkak të sjelljeve raciste dhe diskriminuese të tifozëve të saj. Dënimi në fjalë për shitjen e biletave do të jetë i pezulluar në një periudhë prove prej dy vjetësh”, shkruhet në njoftimin e UEFA-s.
UEFA-ja ka gjobitur edhe Federatën Kroate të Futbollit (50 mijë euro), Federatën Rumune (40 mijë euro), Federatën Serbe (30 mijë euro), Federatën Sllovene (30 mijë euro), Federatën Hungareze (30 mijë euro) dhe Federatën Austriake (20 mijë euro).
Ndër të tjera, UEFA-ja ka vendosur disa sanksione të tjera për Kroacinë, Rumaninë dhe Serbinë. Këto tri federata e kanë të ndaluar shitjen e biletave për tifozët për një ndeshje jashtë shtëpisë. Ky vendim hyn në fuqi që në shtator, me nisjen e edicionit të ri të Ligës së Kombeve.
Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur edhe më herët nga UEFA-ja, gjatë ndeshjeve finale të Kampionatit Europian për shkak të sjelljes së tifozerisë. Vlera totale e paguar deri tani nga FSHF-ja është 171,125 euro ndërsa i shtohet kësaj shifre edhe gjoba e vendosur prej 30 mijë eurosh të mërkurën.