75 Mall Live Search
12:31 / E Enjte, 08 Gusht 2024 / LB

Bulliqi mban një takim me mërgatën, prezent edhe ministrat e kabinetit të Kurtit

Kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi, mbrëmë ka qenë nikoqir i takimit me mërgatën, i cili është mbajtur në oborrin e Galerisë së Arteve në Podujevë në kuadër të manifestimit “Ditët e diasporës”.

Kryetari Bulliqi në një fjalë rasti i ka falënderuar bashkatdhetarët për investimet që po i bëjnë në vazhdimësi në vendlindje. Ai po ashtu i ka informuar ata për mundësinë që Komuna e Podujevës është duke ofruar për investitorët, duke përmendur zonën ekonomike, si një mundësi e jashtëzakonshme për ata që duan të investojnë në Podujevë.

Në takimin me mërgatën kanë marrë pjesë edhe ministra, deputetë e zyrtarë tjerë nga niveli qendror e lokal.

Një fjalë rasti e mbajti edhe zëvendëskryeministrja, Donika Gërvalla, njëherësh edhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi bashkatdhetarët që asnjëherë nuk e harruan atdheun e tyre.

Më pas është shfaqur edhe një dokumentar kushtuar rajonit të Llapit, prodhim i Tëvë1.

Për organizimin e këtij takimi ka ndihmuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.