75 Mall Live Search
15:40 / E Hënë, 19 Gusht 2024 / S Z

Kurti takon mërgatën në ShBA, e informon për arritjet e qeverisë gjatë këtij mandati

Pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbrëmë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me komunitetin shqiptar e mërgatën tonë në Çikago.

“Në një bashkëbisedim të hapur dhe miqësor, kryeministri Kurti e prezantoi diasporën tonë atje me arritjet e Qeverisë përgjatë këtij mandati, dyfishimin e eksporteve vendore dhe investimeve të huaja, forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe objektivat tona të mëtejme për zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Në] njoftim po ashtu thuhet se ndër  to, u veçua vëmendja në sektorë si teknologjia e informacionit, por edhe sektori i energjisë dhe tranzicioni drejt energjisë së ripërtërishme. U përmendën bursat për gratë dhe vajzat që studiojnë në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë); por edhe ankandi i parë i zhvilluar në vend për ndërtimin e centralit solar prej 100 megavatëve, në të cilin doli fitues një konzorcium me kompani nga Zvicra e Gjermania dhe diaspora jonë.

Kryeministri Kurti theksoi se progresi demokratik dhe ekonomik që ka njohur vendi ynë ka ndikuar në kthimin e Kosovës në një vend tërheqës për sjelljen e investimeve, e ku dhe diaspora jonë ka më shumë mundësi për të kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit.

Duke i falënderuar për takimin, bisedën dhe idetë e shkëmbyera, kryeministri Kurti theksoi se mërgata luan një rol të rëndësishëm në planet tona për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.