Mjeku i akuzuar për vdekjen e Perry-t lirohet me kusht, vazhdon punën me pacientët

Së fundmi pesë persona u arrestuan në lidhje me vdekjen e aktorit të famshëm Matthew Perry. Njëri prej tyre është mjeku Salvador Plasencia , i cili akuzohet se i ka shpërndarë rreth 20 shishe ketamine Perry-t disa javë para vdekjes së tij, shkruan Unilad-i.
Prokurorët pretendojnë se Plasencia furnizoi me ketaminë aktorin dhe ndihmësin e tij, Kenneth Iwamasa, transmeton Indeksonline.
Ata gjithashtu pretendojnë se ai mori 55,000 dollarë prej tyre për këtë midis 20 shtatorit 2023 dhe 28 tetorit 2023, ditën kur vdiq Perry.
Mjeku i arrestuar kthehet në punë
Pas raportimeve se Plasencia do të kthehej në punë, avokati i tij konfirmoi se mjeku, në fakt, planifikon të rifillojë praktikën e tij mjekësore në klinikën e kujdesit urgjent. Avokati Stefan Sacks nuk zbuloi më shumë detaje se kur do të kthehet Plasencia, raportoi NBC News.
Pesë persona u arrestuan
Kujtojmë se hetimi zbuloi një rrjet të gjerë kriminal të furnizuesve të ketaminës që furnizonin me ilaç Perry-n dhe se ata përfitonin nga problemet e tij të varësisë. Përveç mjekut të përmendur, janë arrestuar edhe Jasveen Sangha (41), “mbretëresha e ketaminës”, mjeku Mark Chavez (54) dhe asistentët personalë të aktorit Kenneth Iwamasa (59) dhe Eric Fleming (54).
Sipas aktakuzës, dy mjekët fillimisht e furnizuan aktorin me ketaminë dhe kur ilaçet u bënë shumë të shtrenjta, ai i merrte ato nga burime të tjera, përfshirë një grua të njohur si “Mbretëresha e Ketaminës së Los Anxhelosit”./Indeksonline/