75 Mall Live Search
16:13 / E Hënë, 26 Gusht 2024 / FR

S’paraqitet në seancë askush nga Prokuroria, dështon gjykimi ndaj të akuzuarit për deklarim të pasurisë me vonesë

Për shkak të mungesës së prokurorit të shtetit, ka dështuar të mbahet të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë seanca në rastin ku Kreshnik Aliçkaj, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues të Filharmonisë së Kosovës, po akuzohet për mosdeklarim të pasurisë.

Gjykatësi Driton Berisha tha se prokurori i shtetit është ftuar në mënyrë të rregullt, siç rezulton nga fletëdërgesa e 4 korrikut 2024, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, emri i prokurorit që do të përfaqësojë në këtë gjykim, nuk është bërë i ditur nga gjykata në këtë seancë.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme është shtyrë për një datë tjetër.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 shkurt 2022 ka ngritur aktakuzë me kërkesë për dhënien e urdhrit ndëshkimor kundër Kreshnik Aliçkajt, i cili akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues të Filharmonisë së Kosovës, me rastin e marrjes së detyrës më 19 maj 2021, nuk e ka përmbushur obligimin ligjor për deklarimin e pasurisë në afat prej 30 ditësh (deri më 19 qershor 2021).

Aktakuza thotë se i akuzuari nuk e dekaroi pasurinë brenda afatit 30 ditor, por me një muaj vonesë (9 korrik 2021).

Me këtë, Aliçkaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”  nga neni 430, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe burgim deri në tri vjet.