75 Mall Live Search
12:58 / E Martë, 27 Gusht 2024 / S Z

Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, i quan shpifje raportimet për punësimet në këtë institucion

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka reaguar duke i quajtur të pavarteta raportimet në media, sipas të cilave motra e një zyrtare të MASHTI-it Shejnaze Gagica, e cila është e afërt me rektorin, është gati ta kap pozitën e mësimdhënëses në Universitetin e Gjilanit. E gjithë kjo sipas mediave po bëhet pasi që asaj po i ndihmon motra e saj Kumrije Gagica, e cila e udhëheqë me departamentin e nostrifikimit dhe verifikimit të diplomave brenda Ministrisë së Arsimit. Por të gjitha këto raportime sipas Universitetit “Kadri Zeka”, janë plotësisht të pavërteta.

Në reagimin e Universitetit “Kadri Zeka”, në Gjilan, po ashtu thuhet se apostrofimi i emrave të kandidatëve të caktuar, ende pa përfunduar procesi dhe pa analizuar vendimet e komisioneve recenzuese, përbën një tentim për të njollosur emrat dhe personalitetet e tyre, si dhe një përpjekje për të ndikuar në vijueshmërinë e procesit.

“Lajmet e publikuara në portale të ndryshme, lidhur me procese që ende nuk janë përfunduar, dhe të cilat përmbajnë të pavërteta dhe shpifje, qoftë për shkak të mungesës së njohurive rreth proceseve të brendshme, apo për qëllime të tjera të qarta, kanë për qëllim të degradojnë proceset brenda Universitetit dhe të krijojnë një situatë që vështirëson punën e pavarur të komisioneve recensuese, duke ushtruar presion mediatik mbi to. Në mënyrë të veçantë, apostrofimi i emrave të kandidatëve të caktuar, ende pa përfunduar procesi, pa analizuar vendimet e komisioneve recenzuese, përbën një tentim për të njollosur emrat dhe personalitetet e tyre, si dhe një përpjekje për të ndikuar në vijueshmërinë e procesit” thuhet në reagimin e Universitetit të Gjilanit “Kadri  Zeka”.

Në reagim po ashtu thuhet se raportimet e tilla tendencioze janë për keqardhje dhe se kjo nuk I bën nder askujt.

“Publikimi i fotografive në portale të ndryshme, ku kolegët e një institucioni mund të kenë marrë pjesë në projekte apo takime të ndryshme, dhe ndërlidhja e këtyre fotografive me vendimet e komisioneve recensuese të tjera, përbën një veprim për të cilin duhet shprehur keqardhje, dhe nuk i bën nder asnjë mediumi ”, thuhet në reagim.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan inkurajon komisionet recenzuese të kryejnë punën e tyre me profesionalizëm maksimal, pavarësi dhe korrektësi të plotë. Në të njëjtën kohë, i bëjnë thirrje të gjitha organizatave që kanë interes për Arsimin e Lartë, të monitorojnë dhe të kontribuojnë jo vetëm në këtë proces, por edhe në të gjitha proceset e ardhshme.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” po ashtu siguron të gjithë përkrahësit dhe dashamirësit e këtij institucioni të rëndësishëm të Anamoravës dhe Kosovës, se do të vazhdojë rrugën e sukseseve të arritura në vitin akademik paraprak, përfshirë akreditimin institucional 5-vjeçar, akreditimin dhe riakreditimin e pothuajse të gjitha programeve në proces, krijimin e Fakultetit të ri, përparimin në renditjen e Webometrics me mbi 4800 pozicione, futjen në proces për kampusin e ri, nënshkrimin e marrëveshjeve të shumta ndërkombëtare, pozicionimin si lider në Kosovë në thithjen e projekteve të Bashkimit Evropian, si dhe në sigurimin e donacioneve të shumta nga akterë të ndryshëm.

Në reagim po ashtu thuhet se të gjitha procedurat e konkurseve organizohen dhe zhvillohen në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe formimin e komisioneve recenzuese. Këto komisione funksionojnë nën përgjegjësinë e plotë të Këshillave të Fakulteteve përkatëse. Komisionet recenzuese përbëhen nga profesorë të dalluar dhe të specializuar në fushat përkatëse, dhe vendimet e tyre janë tërësisht profesionale, të pavarura dhe të pandikuara nga ndonjë strukturë menaxhuese, duke qenë se nuk ekziston asnjë mekanizëm ndikimi në këto procese, siç e përcaktojnë ligjet, rregulloret dhe procedurat përkatëse.

Në përputhje me rregulloret e brendshme, ekzistojnë gjithashtu komisionet e ankesave brenda Fakulteteve përkatëse, ndërkohë që bazuar në parimin e dyshkallshmërisë, funksionon edhe Komisioni i Ankesave në nivel Senati, si dhe Komisioni i Studimeve në nivel Universiteti, i cili është filtri i fundit para se Senati të marrë vendimin përfundimtar. Është e rëndësishme të theksohet se të gjitha vendimet janë publike dhe të qasshme për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës, duke qenë se recensionet mbeten për 15 ditë në diskutim publik, ku çdo i interesuar ka të drejtë të paraqesë ankesa apo të japë sugjerime në lidhje me ndonjë paqartësi apo keqpërdorim të mundshëm.

“Nga sa më sipër, është e qartë se në asnjë fazë të procesit nuk është e mundur ndonjë ndërhyrje nga cilido individ apo komision tjetër, përveç komisioneve të autorizuara zyrtarisht. Në këtë kontekst, duhet shtuar se të gjithë ata që ndihen të pakënaqur dhe mendojnë se të drejtat e tyre janë shkelur apo dëmtuar brenda Universitetit, kanë të drejtën të kërkojnë mbrojtje të të drejtave të tyre në instanca të tjera jashtë institucionit, siç është Gjykata”, thuhet në reagim.