Gashi: MPJ po ndërhyn në punën e KQZ-së, po rrezikon dështimin e votimit jashtë Kosovës

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Ilir Gashi, ka qenë shumë i ashpër me Ministrinë e Punëve te Jashtme, për të cilën ka shprehur dyshime se nuk po përmbushë obligimet që i janë caktuar me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Një listë që kjo ministri ia ka dërguar KQZ-së me propozime se sa duhet të jetë numri i votuesve në secilën përfaqësi diplomatike, është parë nga Gashi si ndërhyrje flagrante e një institucioni qeveritar në punën e një institucioni të pavarur kushtetues, siç është KQZ.
Gjatë mbledhjes së KQZ-së, Gashi ka shpjeguar se është detyrë ligjore e KQZ-së të caktojë Qendrat e Votimit jashtë Kosovës dhe numrin e votuesve në secilën përfaqësi diplomatike dhe jo e Ministrisë së Jashtme, që sipas tij duhet vetëm të tregojë kapacitetet fizike të objekteve.
Sipas listës së MPJ, në një përfaqësi diplomatike me një sipërfaqe mesatare prej 300-400 metra katrorë janë propozuar që të regjistrohen nga 10 mijë apo 20 mijë votues.
Për Gashin këto propozime mund të rrezikojnë procesin e votimit jashtë Kosovës sepse do të ishte e pamundur që në hapësirën e ngushtë të një përfaqësie diplomatike të arrijnë të votojnë mijëra votues. Sipas tij, nëse regjistrohen për të votuar 10 mijë persona në një vendvotim që mund të procedojë vetëm 1 mijë votues, kjo do t’ia humbiste të drejtën e votës 9 mijë votuesve të tjerë pasi që votimi organizohet në një orar 12 orësh brenda një dite dhe të caktuar me ligj.
Propozimi i MPJ-së është vlerësuar në KQZ në kundërshtim të plotë me praktikat ligjore sipas të cilave një vendvotim i ka deri në 750 votues.
Më tej, sipas Gashit, MPJ është dashur që shumë më herët të përgatis informacionet për përfaqësitë diplomatike për kriteret teknike pasi që Ligji për Zgjedhjet ka hyrë në fuqi para 15 muajve.
Diskutimet nga mbledhja e KQZ-së: https://www.youtube.com/watch?v=IKtmKyn-Nq0