Forcat izraelite kryejnë operacione në Gaza dhe Bregun Perëndimor

Forcat izraelite kanë nisur një ofenzivë në të gjithë Gazën, ndërsa paralelisht kanë kryer edhe një operacion të madh që e kanë quajtur anti-terror në disa qytete veriore të Bregut Perëndimor.
Forcat izraelite dërguan tanke më thellë në qytetin Khan Younis të Rripin jugor të Gazës dhe nisën sulme në të gjithë enklavën ndërsa kanë luftuar me militantët e Hamasit, ku janë vrarë të paktën 34 palestinezë sipas mjekëve lokalë.
Banorët e Khan Younis thanë se tanket izraelite bënë një avancim të befasishëm në qendër të qytetit dhe ushtria urdhëroi evakuime në lindje, duke detyruar shumë familje të vrapojnë për siguri, ndërsa të tjerët u bllokuan në shtëpi.
Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thanë se sulmet izraelite në Khan Younis vranë të paktën 11 persona.
Në qytetin qendror të Deir Al-Balah, ku të paktën një milion njerëz ishin strehuar, një sulm ajror izraelit vrau tetë palestinezë pranë një shkolle që strehonte familje të zhvendosura, thanë mjekët.
Në Nuseirat, në Rripin qendror të Gazës, gazetari Mohammed Abed-Rabbo u vra së bashku me motrën e tij në një sulm izraelit në shtëpinë e tyre, thanë mjekët. Zyra e mediave qeveritare e
Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha se vdekja e Abed-Rabbo e rriti numrin e gazetarëve palestinezë të vrarë nga zjarri izraelit në 172 që nga 7 tetori.
Ushtria izraelite tha se urdhëroi evakuimin në zonat ku Hamasi dhe militantët e tjerë organizuan sulme, duke përfshirë lëshimin e raketave në Izrael.
Ndërkohë të paktën nëntë palestinezë u vranë në një operacion të madh nga forcat izraelite në veri të Bregut Perëndimor thotë ministria palestineze e shëndetësisë.
Forcat izraelite të sigurisë thanë se kishin filluar “një operacion kundër terrorizmit” nga ajri dhe toka në Jenin dhe Tulkarm gjatë natës dhe se deri më tani kishin vrarë “pesë terroristë të armatosur”.
Sipas tyre katër të tjerë u vranë në një sulm ajror gjatë një operacionit në kampin e refugjatëve al-Faraa pranë Tubas.
Gazetarët vendas thanë se nuk kishin parë asgjë të këtyre përmasave në Bregun Perëndimor që nga koha e intifadës së dytë palestineze, dy dekada më parë.