75 Mall Live Search
14:06 / E Enjte, 29 Gusht 2024 / mp

Fatmir Krasniqi emërohet gjyqtar mbikëqyrës i degës së gjykatës në Dragash

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se gjyqtari Fatmir Krasniqi është emëruar gjyqtar mbikëqyrës i degës së gjykatës në Dragash.

Sipas njoftimit të KGJK-së, në takimin e 331-të është bërë përzgjedhja dhe emërimi i gjyqtarit mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Prizren, dega në Dragash.

“Sipas rekomandimit të komisionit vlerësues për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve dhe pas zhvillimit të procesit të votimit, me shumicë votash, zgjodhën gjyqtarin Fatmir Krasniqi, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, mandati i së cilit fillon nga data 1 shtator 2024”, thuhet në njoftim.

Gjykata Themelore në Prizren si gjykatë e shkallës së parë, funksionon me dy degë, një në Suharekë dhe një në Dragash.