Përfundon dëshminë dëshmitari i 82-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

Si në shumë raste, edhe këtë herë në seancën ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk u bë njoftimi se kur vazhdoi dëshminë dëshmitari i sotëm e po ashtu nëse ai e mbaroi dëshminë e tij.
Sapo u hap seanca, palët në këtë proces vazhduan me tema të tjera pa njoftuar për mbarëvajtjen e seancës apo nëse dëshmitari do të kthehet serish për të dëshmuar.
Megjithatë, se sot ka përfunduar dëshminë dëshmitari i 82-të u bë e ditur vetëm përmes një njoftimi nga DhSK-ja pasi mbaroi seanca.
Ndryshe, sa ishte seanca e hapur, mbrojtja e Veselit përmes avokatit Geoffrey Roberts e ngriti një çështje lidhur me kalendarin gjykatës për vitin e ardhshëm.
“Kalendari i gjykatës për vitin që vjen është deri në maj të vitit që vjen dhe megjithatë që kuptoj unë synohet që data e përfundimit të çështjes nga Prokuroria është… ose ajo që keni thënë me datë 15 shkurt 2023 ka qenë 1 prilli 2025, të paktën kjo është përcaktuar me urdhrin me gojë. Nuk e di në qoftë se ky është rasti megjithatë ne e kuptojmë që ndërsa flasim koha për përfundimin e çështjes nga prokuroria është në prill”, tha Roberts.
Ndërsa, kryetari i turpit gjykues njoftoi se nuk ka ndryshime në data por që i është dhënë pak hapësirë ZPS-së pas afatit të përcaktuar për mbarimin e çështjes së saj.
“Nuk është ndryshim ky por thjeshtë po mendonim se ndoshta për disa gjera që mund të ndodhnin në atë kohë përtej mbylljes së çështjes së prokurorisë. Unë nuk dua të jem dorështrënguar lidhur me datën 1 prill. Kemi filluar me datë 15 prill, kështu që e kemi dhënë pak hapësirë. Keni të drejtë që e ngitet këtë çështje. Ne nuk synojmë që të ndryshojmë ndonjë datë”, tha kryegjyqtari.
Pas kësaj, prokurori Matt Halling tha se dëshmitarët që synohet të thirren për bllokun e ardhshëm janë 04737, 04600 dhe 01129
Ndërsa, për javën tjetër, Halling tha se kanë vetëm dy dëshmitarë të cilët mbajnë kodin W04735 dhe W0511, të cilët pritet të dëshmojnë. Ai shtoi se aktualisht nuk kanë dëshmitarë tjetër rezerve, por që do të shikojnë se çfarë mund të bëjnë.
Gjithashtu, kryegjyqtari tha se do të ishte mirë që ta kenë dikë rezervë për shkak se sipas tij këto dëshmitar nuk zgjasin gjithë javën.
Pas kësaj, pati një çështje për të diskutuar edhe avokati Eric Tully por që sapo e mori fjalën, seanca kaloi në përmbajtje të redaktuar për t’u mos u hapur më deri sa në ekran u njoftua se nuk ka transmetim./BpD/