75 Mall Live Search
13:23 / E Premte, 30 Gusht 2024 / S Z

Harris premton qasje më të ashpër ndaj migracionit

Zëvendëspresidentja Kamala Harris ka premtuar një qasje më të ashpër ndaj migracionit dhe mbështetje për Izraelin, në intervistën e parë në një medium të madh, që kur ka marrë nominimin për të garuar për presidente .

Kamala Harris u zotua për një qasje më të ashpër ndaj migrimit përgjatë kufirit jugor të SHBA-së dhe tha se nuk do t’i ndalonte armët Izraelit, në intervistën e saj të parë me një medium të madh lajmesh që kur u bë kandidatja demokrate për president.

Në një intervistë për CNN-i, Kamala Harris u përpoq të tregonte se i kishte gjërat nën kontroll dhe t’u sqaronte amerikanëve pozicionet e saj politike, pak më shumë se dy muaj deri në ditën e zgjedhjeve, më 5 nëntor. Harris tha se do të rinovonte një shtytje për legjislacion gjithëpërfshirës kufitar që do të shtrëngonte migrimin në Shtetet e Bashkuara dhe u zotua të “zbatojë ligjet amerikane” kundër kalimeve kufitare.

“Ne kemi ligje që duhen ndjekur dhe zbatuar, që adresojnë dhe merren me njerëzit që kalojnë kufirin tonë në mënyrë të paligjshme dhe duhet të ketë pasoja,” ka deklaruar Harris. Ajo gjithashtu përkrahi mbështetjen e fortë të presidentit Joe Biden për Izraelin dhe hodhi poshtë thirrjet nga disa në Partinë Demokratike se Uashingtoni duhet të rimendojë dërgimin e armëve në Izrael për shkak të numrit të madh të vdekjeve palestineze në Gaza.  Ajo tha se mbështet një Izrael të fortë, por “se duhet të arrihet një marrëveshje” për të armëpushim në konfliktin e Gazës.

Sa i përket ekonomisë, Harris tha se nga dita e parë, presidenca e saj do të fokusohej në uljen e kostove për amerikanët në kontekstin e rritjes së çmimeve për shkak të inflacionit. Që kur u bë kandidate demokrate për president muajin e kaluar, Harris është ngritur në sondazhe, ka siguruar shumë donacione për fushatën dhe ka pasur një sërë fjalimesh të fuqishme në fushatë. Ajo po kryeson Trumpin 45% me 41% në një sondazh të Reuters/Ipsos të publikuar të enjten, që tregon se zëvendëspresidentja ndezi entuziazëm të ri mes votuesve.