75 Mall Live Search
10:02 / E Hënë, 02 Shtator 2024 / k.v

Krimi që tronditi kryeqytetin, policia vazhdon ta mbajë të bllokuar rrugën në “Aktash”

Lagjja “Aktash” e Prishtinës mbrëmë u trazua nga krismat e armëve mes familjes Sekiraça dhe Capave, ku Përparim Gashi humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa u plagosen pesë të tjerë, raporton IndeksOnline.

Rruga “Gazmend Zajmi” vazhdon të mbetet e bllokuar prej orës 22:00 kur edhe ndodhi krimi.

Forenzika dhe hetuesit rajonalë ndodhen ende në vendin e ngjarjes, duke mbledhur prova përkitazi me ngjarjen që tronditi kryeqytetin.

Për IndeksOnline ka folur edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi.

“Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar. Ajo çka mund të deklarohem për momentin është se gjendja e të plagosurve është stabile, sipas informative që i kemi dhe komunikimeve me doktorët, ata janë jashtë rrezikut për jetën. Për rastin, e kemi dikë që e kemi intervistua në stacionin policor. Po i vazhdojmë hetimet”, ka thënë Gashi.

Të lënduarit, nga Emergjenca janë transferuar në klinikat gjegjëse të QKUK-së si Kardiokirurgji, Kirurgji Abdominale dhe në Ortopedi.

Ndërsa sipas policisë, trupi i pajetë i Përparim Gashit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion./IndeksOnline/