75 Mall Live Search
20:05 / E Enjte, 05 Shtator 2024 / L K

Serbët e shohin si provokim, hapja e Kanal10 në Veri: Një hap ndihmës për luftën kundër propagandës dhe lajmeve të rreme

Mediat serbe, edhe disa ditë pas debatit te Politkos në Kanal 10, që është zhvilluar në veri të Mitrovicës, vazhdojnë të raportojnë duke e komentuar përmbajtjen dhe mënyrën e organizimit të emisionit nga gazetari Kushtrim Sadiku.

Gazetari Kushtrim Sadiku, thotë se hapja e zyreve të Kanal10, në pjesën veriore të Mitrovicës, ka qenë një iniciativ e televizionit në mënyrë që të jenë më afër qytetarëve për të komunikuar për problemet e tyre, ku shton se nuk duhet të shihet si një qëndrim politik,  por si një platformë e duhur që qytetarët të flasin dhe të komunikojnë lirshëm në një vend.

“Hapja e zyreve të Kanal10, në pjesën veriore të Mitrovicës, ka qenë një iniciativë e televizionit të gazetarëve që të jemi më afër qytetarëve, pavarësisht a janë serb a janë shqiptarë, të jemi më afër vendit të ngjarjes, të jemi më afër për të komunikuar për problemet e tyre dhe të jemi në vendin ku ballafaqohen argumentet pro dhe kundra. Pra, jo si një qëndrim politik, por si një platformë e duhur që qytetarët, politikanët, serbët dhe shqiptarët të flasin dhe të komunikojnë lirshëm në një vend. Kjo ka qenë iniciativa jonë, sepse ne nuk kemi vendosur studio mobile vetëm në veri, emisione kemi zhvilluar gjithandej nëpër botë e rajon dhe kjo ka qenë arsyeja në të cilën ne kemi insistuar”, tha ai.

Tutje, ai tregon se tash e 4 ditë mediat në Serbi, janë duke u marrë me emisionin që e ka zhvilluar në pjesën veriore, ku po e cilësojnë si një provokim për ta.

Gazetari Sadiku, tregon se debati i sotëm që zhvillohet në Prishtinë mes politikanit serb Arsenijeviq dhe deputeti të Kosovës, Armend Muja, është një dëshmi që “Politiko” u jep hapësirë serbëve,  po aq sa edhe shqiptarëve.

“Dhe të them të drejtën debati i sotëm që është ndërmjet Arsenijeviq që vjen nga veriu dhe që është shumë i zëshëm, dhe Mujës që vjen nga Mitrovica dhe që është deputet në Kuvendin e Kosovës, është një lloj rrjedhoje e një ballafaqimi e një iniciative e një debati të tillë, që është absulutisht në kuadër të vlerave demokratike, kjo është arsyeja që televizioni i gazetarëve e promovon një gjë të tiillë. Pra, ka katër ditë rresht që mediat në Serbi, tabloidet, gazetat e ndyshme dhe  televizionet janë duke u marrë me emisionin të cilin e kam zhvilluar në pjesën veriore të Kosovës, duke e cilësuar si provokim. Sot, kjo është dëshmi që debati zhvillohet në Prishtinë dhe “Politiko” u jep hapësirë serbëve, po aq sa edhe shqiptarëve”, theksoi Sadiku.

Ndërsa edhe politikani serb Aleksandar Arsenijeviq, nga Partia Demokracia Serbe në veri, në një intervistë për GazetaBlic, thotë se hapja e televizionit të Kanal10 në veri, është një gjë e mirë që i ndihmon thyerjes së propagandës dhe lajmeve të rreme.

“Hapja e televizionit Kanal10 në Mitrovicën Veriore, është një gjë e mirë. Ideja është që kjo i ndihmon thyerjes së propagandës edhe lajmeve të rrejshme, jo vetëm në Prishtinë, dhe qëllimi im edhe sot me ardhjen time këtu në këtë Kanal është për t’i dhënë kontribut edhe për të përkrahua mediat e shumicës shqiptare në vend, për të nxjerrë qëndrimet e duhura dhe të vërtetën mbi atë që është duke ndodhur”, u shpreh Arsenijeviq.

Kurse deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, thotë se mediat e kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në 3-4 vitet e fundit, ku e kanë shpërfaq realitetin ashtu siç është në disa raste.

“Mediat e kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në 3-4 vitet e fundit, e kanë shpërfaqë realitetin ashtu siç është në disa raste, për shkak se ndoshta edhe mediat nga Prishtina nuk është se kanë pas shtrirje në atë pjesë, edhe po ashtu edhe mediat që kanë operu në atë kohë kryesisht kanë qenë të kontrolluara nga Beogradi dhe tash ka një hapsirë mediatike që duhet të mbulohet. Kanë arritë edhe gazetarët me e shpërfaq një realitet i cili ka qenë”, tha ai.

Ndër të tjera,  Muja thotë se sulmet që po bëhen ndaj Kanal10 janë të orkestruara pikërisht nga fakti që shembën nga narrativat fallco që janë ndërtuar ndër vite në Beograd.

“Ai debati aty e shpërfaqi një realitet që në fakt ekziston, është pak më ndryshe se portretizohet në Prishtinë edhe në Beograd, por ai ishte realiteti. Unë mendoj që sulmet që kanë ndaj Kanal10 janë të orkestrume, pikërisht nga fakti që shemben narrativat fallco që janë ndërtuar ndër vite në Beograd”, përfundoi Muja.