75 Mall Live Search
17:26 / E Martë, 10 Shtator 2024 / MSH

Konjufca dhe Orav flasin për Agjendën e reformave evropiane

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav. 

Takimi u fokusua në diskutimin e zhvillimeve aktuale në vend dhe rajon, agjendën evropiane të Kosovës dhe përparimin në procesin e reformave për integrimin evropian. 

Konjufca, pasi i uroi detyrën e re, e njoftoi ambasadorin Orav përkitazi me punën e deritashme të Legjislaturës VIII, përfshirë miratimin e disa ligjeve shumë të rëndësishme që lidhen me Agjendën e reformave evropiane, si dhe ritheksoi përkushtimin e legjislativit në vazhdimin e reformave të nevojshme, duke nënvizuar se Kosova tashmë ka përmbushur kriteret dhe është në pritje të dhënies së statusit të vendit kandidat të BE-së. Ai po ashtu e falënderoi ambasadorin Orav për mbështetjen e BE-së ndaj Kosovës, sidomos në fushat e sundimit të ligjit, demokratizimit dhe forcimit të institucioneve. 

Ambasadori Orav e falënderoi Konjufcën për pritjen dhe vlerësoi progresin e arritur deri tani. 

Konjufca dhe ambasadori Orav shprehën gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe vazhdimin e mbështetjes së legjislativit në funksion të avancimit të agjendës së përbashkët evropiane.