Kontrabandoi emigrantë drejt BE-së dhe mashtroi për viza, prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin nga Ferizaj

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka kërkuar nga gjykata t’i caktohet masa e paraburgimit personit F.H., nën dyshimin se kishte kryer veprat penale “Kontrabandim me emigrantë” dhe “Mashtrim”.
Në njoftimin e prokurorisë bëhet e ditur se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajve tetor-nëntor të vitit 2021, F.H., me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, u mor me kontrabandim të emigrantëve nga Kosova drejt BE-së, duke i përfillur kushtet e domosdoshme për hyrje të ligjshme në shtetet e BE-së.
“Po ashtu, ndaj të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajve tetor – nëntor 2021 në Ferizaj, duke i fshehur faktet me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e ka vënë në lajthim të dëmtuarën N.L., duke i premtuar se do t’i sigurojë tri viza Shengen për t’ia mundësuar hyrjen në shtetin e Zvicrës, në atë mënyrë që ka siguruar tri viza në Ambasadën e Rumanisë në Shkup për bashkëshortin e saj dhe dy fëmijët e saj, për të cilin shërbim ka marrë 3500 euro edhe pse e ka ditur se Rumania nuk është pjesë e zonës Shengen, me këtë do të kryente veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 1 të KPRK-së” thuhet në njoftim të prokurorisë, shkruan Indeksonline.
I dyshuari F.H., u arrestua dje nga Policia e Kosovës, për t’u dërguar në mbajtje për 48 orë./Indeksonline/