75 Mall Live Search
20:31 / E Shtunë, 21 Shtator 2024 / MSH

Osmani viziton “Vatrën” në Nju Jork: Komunitet që mban gjallë flakën e trashëgimisë sonë

Presidentja e Republikës së Kosovës ka takuar sot pjesëtarë të Federatës Panshqiptare “Vatra”, në Nju Jork.

Gjatë vizitës së saj në ambientet e “Vatrës”, Osmani është njoftuar nga afër me punët e federatës, dyert e së cilës janë të hapura për shqiptarët në Amerikë, shkruan Indeksonline.

“E themeluar nga Fan Noli dhe Faik Konica, Federata Panshqiptare “Vatra” ka shërbyer si fener për shqiptarët anembanë diasporës sonë në Shtetet e Bashkuara për më shumë se një shekull. Në kohët më të errëta, “Vatra” qëndronte si një zë i palëkundur për shqiptarët në Amerikë, duke mbrojtur identitetin tonë kombëtar dhe duke mbrojtur idealet e përjetshme të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Sot pata nderin të vizitoja “Vatrën” dhe të takoja anëtarët e shquar të organizatës më të vjetër shqiptare në Shtetet e Bashkuara – një komunitet që vazhdon të frymëzojë, udhëheqë dhe mbajë gjallë flakën e trashëgimisë sonë” shkroi Osmani në “X”.

Vizita e saj në “Vatra” vjen në vazhdën e vizitave që presidentja po realizon në kuadër të qëndrimit të saj në SHBA, ku do të marrë pjesë takimin e sesionit të 79-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara./Indeksonline/