Të shtënat me armë afër shkollës në Klinë, i dyshuari dorëzohet në Polici

IndeksOnline raportoi gjatë ditës se, në afërsi të shkollës “Fehmi Agani” në linë, ka pasur shkëmbim zjarri me armë mes disa nxënësve.
Në vendin e ngjarjes dolën menjëherë njësitet relevante të policisë, të cilat nisën hetimet.
Nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë kanë konfirmuar se incidenti që ndodhi rreth orës 10:40 ka rezultuar me sekuestrim të një gëzhoje të armës.
Sipas policisë, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes me të ndodhur incidenti, por që i njëjti është paraqitur në Stacionin Policor në Klinë, bashkë me prindin e tij.
Nga i dyshuari është sekuestruar pistoleta “Zoraki 906-T” e cila dyshohet të jetë përdorur në rast, një karikator i së njëjtës armë si dhe një gëzhojë.
“Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 24 orë” thuhet në njoftimin e policisë./IndeksOnline/
