Tahiri i AAK-së: Qeveria vazhdimisht ka udhëhequr vendin me ushtrues detyre, kjo përbën rrezik

Shefi i Grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, sot gjatë një konference të jashtëzakonshme, ka folur lidhur me Ligjin që rregullon rolin e ushtruesit, apo ushtrueses së detyrës në administratën shtetërore.
Teksa ka folur për nenin 35 të këtij ligji, Tahiri ka pretenduar se asnjë ushtrues detyre në pozitë të lartë në Administratën e Shtetit, e që i cili ka mbushur një vit, s’mund të nënshkruajë asnjë dokument.
Me ç’rast, Tahiri ka thënë se mbajtja e këtyre pozitave me zëvendësues, është në kundërshtim me Ligjin që ka hyrë në fuqi tash e një vit.
“Në qoftë se e shohim me një sy kritik nenin 35 të këtij ligji, ku përcaktohet ushtrimi i detyrës së ushtruesit së detyrës në institucione shtetërore, mund të konstatojmë se asnjë ushtrues detyre në pozitë të lartë në Administratë të Shtetit i cili ka mbushur një vit nuk mund të nënshkruajë asnjë dokument , për shkak se ligji në fjalë shprehimisht e kufizon mandatin në gjashtë muaj plus gjashtë muaj, në një vit. Pra secili apo secila që kanë mbi një vit mund të trajtohet në aspektin penal të shkeljes së ligjit”, ka deklaruar Tahiri para mediave.
Madje Tahiri ka thënë se Qeveria aktuale vazhdimisht ka udhëhequr vendin me ushtrues detyre, gjë që sipas tij, mund të përbëjë rrezik për të gjitha vendimet që nënshkruhen nga ta.
“Çka duhet të dijë sot qytetari i Kosovës. Kjo qeveri për një kohë të gjatë vazhdon ta udhëheq shtetin me ushtrues të detyrës. Të tri institucionet kryesore të vendit, Kuvendi, Presidenca, Kryeministria udhëhiqen me ushtrues të detyrës. Kur zbresim në qeveri, pesë dikasteret kryesore të ekonomisë janë me ushtrues të detyrës. Ajo që mund të them është se kohëzgjatja e funksionit është e kufizuar me këtë ligj, dhe rrjedhimisht nuk ekziston mundësia që me një akt ligjor siç është vendimi të zgjatet mandati, përtej atij që i ësht perceptuar me ligj”, ka potencuar Tahiri tutje.