75 Mall Live Search
10:36 / E Martë, 08 Tetor 2024 / S Z

MAPL-ja i kthen përgjigje Komunës së Prishtinës për angazhimin e kompanive private në largimin e mbeturinave, reagon drejtori

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e ka konsideruar të jashtëligjshëm vendimin e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, i cili tentoi të ndalonte zbatimin e nenit të rregullores për menaxhimin e mbeturinave. Ky nen lejon që të angazhohen dhe kompani të tjera private,  për t’i dalë në ndihmë ndërmarrjes publike në procesin e pastrimit dhe menaxhimit të mbeturinave, duke siguruar kështu efikasitet dhe pastërti në qytet.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës Bekim Brestovci. Brestovci ka thënë se përpjekjet e asambleisteve të PDK-së dhe VV-së  për të bllokuar punën, sa i përket menaxhimit të mbeturinave kanë dështuar.

“Përpjekjet nga asamblistë të PDK-së të mbështetur nga asambleistë të VV-së për të bllokuar punën tonë në menaxhimin e mbeturinave dhe pastrimin e qytetit, dua t’i siguroj qytetarët se kanë dështuar. Përpjekjet për të penguar zhvillimin e projekteve të rëndësishme, që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës në Prishtinë nuk do të kenë sukses”, ka shkruar Brestovci në Facebook.

 Ndërsa ka thënë se kjo ishte një masë e domosdoshme për t’iu përgjigjur sfidave të mëdha që ka qyteti ynë.

Brestovci po ashtu ka thënë se janë të përkushtuar që  t’i kryejnë detyrat në shërbim të qytetarëve dhe  mirëqenies së Prishtinës.

“Ne jemi të përkushtuar që t’i kryejmë këto detyra në shërbim të qytetarëve dhe mirëqenies së Prishtinës. Askush nuk mund ta ndalë këtë punë të mirë që bëjmë për të mirën e qytetit. Këto përpjekje bllokuese janë një tentativë për të penguar progresin, por puna jonë është e fokusuar tek qytetari dhe zhvillimi i qytetit tonë. Kjo është arsyeja pse këto veprime dështuan dhe do të vazhdojmë të realizojmë angazhimet tona pa u ndalur”, ka shkruar Brestovci në Facebook.